Daka: Patjetër duhet të kemi reformë zgjedhore

Daka: Patjetër duhet të kemi reformë zgjedhore

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se reforma zgjedhore duhet të bëhet patjetër, dhe kushdo që vjen në pushtet duhet ta ketë parasysh këtë.

Ajo ka folur edhe për votat e mërgimtarëve, disa prej të cilave nuk ishin pranuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Sipas saj Gjykata Kushtetuese ka qartësuar një situatë e cila gjithashtu ka qenë e pakëndshme, për KQZ-në por edhe për mërgatën.

“Në fakt Ligji për zgjedhjet e përgjithshme ka qenë jashtëzakonisht i qartë në këtë drejtim dhe na ka urdhëruar që ne të pranojmë votat e diasporës deri në 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe ne edhe ashtu kemi vepruar. Falë një ankese e cila është bërë pastaj dhe ka shkuar nëpër procedura të rregullta Gjykata Supreme në fakt ka urdhëruar që ne t’i pranojmë vendimet pothuajse gati në certifikim që për neve ka qenë jashtëzakonisht e vështirë sepse operacionet zgjedhore janë ashtu të ideuara dhe të përgatitura që të shkojnë një pas një dhe kjo na ka prishë atë hapin të cilin ne e kemi pasur dhe me këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese kjo situatë është qartësuar dhe ne tani do të veprojmë ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Daka.

Sipas Dakës edhe rasti i votave të mërgimtarëve tregon se reforma zgjedhore e domosdoshme.

“Ndoshta nuk është e favorshme për qytetarët tanë të cilët jetojnë jashtë Kosovës, por gjithsesi ne jemi të obliguar që të respektojmë të gjitha aktgjykimet ashtu si na vijnë. Të gjitha këto qartazi na tregojnë se patjetër duhet të kemi reformë zgjedhore. Pra, ne si KQZ jemi në pamundësi që ta ndryshojmë ligjin, dhe rregullat tona, sepse ne duhet të veprojmë konform ligjit dhe procedurave të cilat i parasheh ligji. Ne nuk mund të ndryshojmë asgjë e sidomos nuk mund të ndryshojmë asnjë procedurë, në prag të zgjedhjeve. Edhe po të ndërrohen, ato duhet të bëhen shumë më herët në mënyrë që të informohen edhe votuesit edhe subjektet politike”, ka thënë Daka.

Daka shton se kushdo që vjen në pushtet duhet ta bëjë reformën zgjedhore.

“Praktikisht ne i kemi duart e lidhura. U bëj apel të gjitha subjekteve politike që pas këtyre zgjedhjeve kushdo që vjen në pushtet ta ketë parasysh që reforma zgjedhore është duke na pritur tashmë që 10 vite edhe kjo është kërkesë e kohës, jo e imja dhe as e KQZ-së. Ky ligj e ka tejkaluar vetveten dhe ka ardhur koha kur duhet të ndryshohet”, ka deklaruar Daka.

BURIMI I LAJMIT
2020-12-30 00:04:56
Bota Sot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *