Ish-ambasadori: Projekti në Deçan nuk po lejohet për interesa të këtij politikani

Ish-ambasadori: Projekti në Deçan nuk po lejohet për interesa të këtij politikani

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ka folur për punimet në rrugën Deҫan-Plavë.

Ai vlerëson se nuk është e drejtë që për interesa të Kishës Ortodokse Serbe dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të cenohet një projekt i tillë zhvillimor, përcjell Bota sot.

Lauka ka thënë se KFOR-i dhe ambasadat e vendeve mike në Kosovë, duhet ta dinë që Manastiri i Deçanit nuk është rrezikuar kurrë as nuk rrezikohet as tani nga shqiptarët.

Sipas tij, rruga në këtë pjesë, do të lehtësonte lëvizjen e lirë dhe bashkëpunimin midis vendeve fqinje.

Reagimi i Laukës në Facebook:

Askush nuk ka të drejtë të ndalojë punimet në rrugën Deҫan-Plavë

Pas kërkesës së Presidentit serb Vuҫiq dhe të Manastirit të Deҫanit, KFOR-i ndaloi punimet në rrugën Deҫan-Plavë. Deri tani nuk ka ndonjë reagim të qeverisë Hoti për këtë ҫështje. Duket se ajo do ta sakrifikojë atë për hir të mirëkuptimit me Vuҫiqin.

Rruga Deҫan-Plavë është e një rëndësie jetike për banorët e Deҫanit, të zonës së Tropojës dhe ata të Plavës e Gucisë, pra lidhë tre rajone, relativisht, të mëdha kufitare, në tre shtete fqinjë. Ajo do t`u japë jetën e munguar bjeshkëve që bashkojnë këto tre vende.

Nuk është e drejtë që, për interesa politike të Vuҫiqit dhe të Kishës Ortodokse Serbe, e cila po abuzon hapur me të drejtat dhe privilegjet që i ofron ligji dhe Kushtetuta e Kosovës, të cenohet një projekt i tillë zhvillimor. KFOR-i dhe ambasadat e vendeve mike në Kosovë duhet ta dinë që Manastiri i Decanit nuk është rrezikuar kurrë as nuk rrezikohet as tani nga shqiptarët. Gjatë 500 vjetëve të Perandorisë Osmane ishin pikërisht ata që e mbrojtën atë, se po të ishte për serbët, nuk do t`i gjendej as nami e nishani.

Në rast se këta ambasadorë nuk lodhen së foluri, ditë e natë, për vlera si lëvizja e lirë, bashkëpunimi midis vendeve fqinjë apo zhvillimi i zonave ndërkufitare, atëherë ata nuk kanë të drejtë morale që t`i thonë ndal një projekti si rruga Deҫan-Plavë, e cila iu shërben pikërisht këtyre qëllimeve-lëvizjes së lirë, bashkëpunimit midis vendeve fqinjë në zonat e tyre kufitare, në fushën e transportit, tregtisë, turizmit, etj.

Apo kemi të bëjmë me zbatimin e standardeve të dyfishta, nga ana e tyre?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *