Krasniqi tregon si u la Haradinaj jashtë loje për president nga LDK dhe PDK

Krasniqi tregon si u la Haradinaj jashtë loje për president nga LDK dhe PDK

U formua në kohë pandemie, duke rrëzuar Qeverinë Kurti.

Por, tani partia që është pjesë e koalicionit, AAK, po paralajmëron se Qeveria mund të bie, nëse liderit të saj, Ramush Haradinajt, nuk i jepet posti i presidentit.

Kështu ka deklaruar i pari i AAK-së, derisa së fundmi ka shpallur kandidaturën për president.

Ndërsa nga LDK kanë thënë se duhet të ulën dhe të bisedojnë, pasi mungesa e komunikimit në mes të Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt, ka bërë që të ketë pakënaqësi.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Haradinaj po e kërcënon koalicionin me postin e presidentit, pasi akoma vrapon për pushtet dhe se i bie se rrëzimi i Qeverisë Kurti është bërë për shkak të pushtetit dhe jo për shkak të rrezikut të prishjes së raporteve me SHBA-në.

ImageIslam Krasniqi
“Z. Haradinaj ka marrë miratimin nga partia e tij për postin e presidentit të Kosovës dhe partisë lidere të koalicionit ju ka drejtuar me një kërkesë si lloj kërcënimi, ma jep postin ose dal nga qeveria, kjo i bie se akoma ish kryeministri ka ambicie për pushtet, akoma vrapon pas pushtetit duke mos u kënaqur me jetën që ka. Nëse lideri i AAK-së z. Ramush Haradinaj kërcënon në këtë formë atëherë i bie se rrëzimi i qeverisë nuk kanë qenë ato deklaratat që bënin bujë në media apo prishja me Amerikën etj etj por copëtimi i pushtetit, ambicia për pushtet”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, LDK nuk mund ta pranojë ofertën e Haradinajt për ëndrrën e tij për president, por edhe po të pranonte, nuk mund t’ia bëjë votat.

“Një gjë e tillë është e pa arritshme sepse LDK-ja nuk ka interes që të pranojë ofertën e z. Haradinaj si kandidat për president nga koalicionit qeverisës. Dhe z. Haradinaj është futur në lojë me ëndrrën e postit të presidentit, post të cilin LDK-ja mundohet të bllokojë për vete, e që edhe po të donte LDK-ja t’i jepte këtë post të parit të AAK-së nuk mund t’i sigurojë kuorumin, përkatësisht as votat”, ka vlerësuar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Tutje, ai shton se Haradinaj e ka kuptuar se LDK po e diskuton me PDK-në postin e presidentit, duke e lënë atë jashtë loje, derisa thotë se këto kushtëzime të AAK-së nuk e frikësojnë LDK-në.

“Z. Haradinaj e ka kuptuar se postin e presidentit LDK-ja është duke diskutuar me PDK-në, duke e lënë jashtë loje z. Haradinaj, pavarësisht dëshirës apo ambicieve që ka për pushtet, i cili me shpresë se do të përfitojë nga situata siç kishte përfituar dy herë tjera. Kushtëzime e AAK-së nuk e frikësojnë LDK-në, pasi që partinë e z. Haradinaj AAK-në koalicioni me LDK-në e ka dobësuar pa masë, pasi që e detyruar të shkel mbi parimet me të cilat AAK-ja ka qëndruar në pushtet dhe që është thirrur në zgjedhje”, ka theksuar ai.

Krasniqi thotë se Haradinaj duhet të pajtohet me çdo gjë që i ofron LDK-ja dhe të qëndrojë me ta, pasi ata nuk e llogarisin në koalicion, duke shtuar se Haradinaj duhet të dalë në pension, pasi mjaft i ka dhënë shtetit.

“Kështu që z.Haradinaj duhet të pajtohet me çdo gjë që i ofrohet nga LDK-ja nëse do të qëndrojë me ta, në të kundërtën LDK-ja as që po e llogarit që e ka në koalicion duke e lënë gjithmonë offline. Mos të harrojmë të cekim së presidentët që dalin nga pazaret politike janë kundër ligjorë sepse ata nuk mund të jo unifikues të popullit asnjë here, andaj z. Haradinaj lë të pushojë dhe të kënaqet me ato që ka, mjaft i ka dhenë këtij shteti i ka ardhur koha për pension, e mos të marrim shembuj nga Lindja e Mesme deri në vdekje në pushtet”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *