Historike: Maqedonia me kryeministër shqiptar?

Historike: Maqedonia me kryeministër shqiptar?

Pas dhënies së mandatit nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski po vazhdojnë konsultimet për formimin e Qeverisë së re.

Partia fituese e zgjedhjeve të 15 korrikut, LSDM e udhëhequr nga Zoran Zaev është në bisedime me partinë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila udhëhiqet nga Ali Ahmeti.

Ekspertët presin që Qeveria e re e Maqedonisë për herë të parë të ketë kryeministër shqiptarë pasi që ky është edhe kushti i BDI-së, por gjasat nuk janë shumë të mëdha, ndërkaq kanë deklaruar se edhe partitë të tjera shqiptare të cilat mund të jenë pjesë e koalicionit qeverisës.

Kombinimet për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut

Profesori, Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se cilat kombinime partiake mund të formojnë qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.

ImageSulejman Mehazi
“Sipas gjithë kombinimeve partiake koalicioni për formimin e qeverisë së re do bëhet në mes partisë maqedonase LSDM-së dhe BDI-së shqiptare, koalicionet tjera janë spekulime për shkak se as Zaevit e as Ali Ahmetit nuk ju konvenojnë koalicionet me partitë tjera për shkak interesave partiake, për shkak ndarjes së kulaçit qeverisës në shumë pjesë partiake. Ata në vend q’i ndajnë dikasteret ministrore ne mes veti do jenë të detyruar t’i ndajnë me partitë tjera koalicionuese”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka treguar se cili është kushti i vendosur nga Bashkimi Demokratik për Integrim të cilin nuk mund të pranojnë partitë maqedonase.

Problemi i më i madh i bisedimeve të këtyre dy partive është kërkesa e BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar, këtë kusht politik të BDI-së jo që nuk mund ta pranojnë partitë maqedonase, po edhe nuk mund ta durojnë e përballojnë. Si shihet problemi më i madh i bisedave të Zaevit e Ali Ahmetit është kryeministri shqiptar, që me këtë slogan BDI-ja i mori edhe votat shqiptare gjatë zgjedhjeve të 15 korrikut. Pra, lufta e stërgjatës së marrëveshjes behet për shkak kryeministrit shqiptar, pala maqedonase e Zaevit këmbëngul që Ali Ahmeti të tërhiqet nga kjo kërkesë, kurse pala shqiptare e Ali Ahmetit përpiqet të bëjë kompromise politike që kryeministri në RMV të zgjidhet me anë të rotacionit, tre vjet të jetë kryeministër maqedonas e një vit të jetë shqiptar. Besojmë se së shpejti do merren vesh Zaevi e Ahmeti duke toleruar njeri tjetrin për krijimin e qeverisë. Nëse Zaevi me ndërrimin e emrit në Maqedoni Veriore zgjodhi problemin më të vështirë me Greqinë, pse mos merret vesh edhe me Ali Ahmetin për kryeministrin shqiptar në këtë republikë”, ka deklaruar profesori për “Bota sot .

Sipas, profesorit kjo mund të jenë përbërja e koalicionit të Qeverisë së re.

“Sipas gjitha gjasave të logjikshme qeveria e Maqedonisë do jetë me këtë përbërje: LSDM-46 deputetë, BDI-15 deputetë dhe PDSH-1 deputet=62 deputetë”, ka potencuar Mehazi për “Bota sot”.

Berisha: Ka përafrime qëndrimesh

Ndërkaq, politologu, Ejup Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se bisedimet fillimisht po zhvillohen ndërmjet dy subjekteve LSDM- së nga blloku politik maqedonas dhe BDI- së nga blloku politik shqiptar.

ImageEjup Berisha
“Po negociatat për formimin e Qeverisë së re këtu në RMV janë në rrjedhë e sipër pas dorëzimit të mandatit për formimin e saj nga Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski Kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev. Bisedimet fillimisht po zhvillohen mes dy subjekteve fituese të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat këtu te ne u mbajtën më 15 korrik apo mes LSDM-së të bllokut politik maqedonas dhe BDI-së nga blloku politik shqiptar. Sipas informacioneve nga të dyja Partitë në bisedime ka përafrime qëndrimesh dhe harmonizim programesh por gjithmonë sipas tyre akoma nuk ka ndonjë marrëveshje përfundimtare për koalicioni pas zgjedhor”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Berisha vlerëson se bisedimet duhet të zgjerohen edhe me parti tjera siç janë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërsa me PDSH-në ka një marrëveshje të konfirmuar për pjesëmarrjen e kësaj partie në Qeverinë e re

“Bisedimet siç konfirmojnë nga të dyja subjektet politike prej LSDM-së dhe BDI-së do të vazhdojnë dhe nëse nuk ka situata të papritura që do ta ngarkonin apo dhe do ta komplikonin procesin e formimit të Qeverisë së re duhet të bëhen përpjekje serioze që shpejtë të arrihet marrëveshje për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe BDI-së. Edhe pse personalisht vlerësoj se bisedimet duhet të zgjerohen edhe me parti tjera siç janë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ndërsa me PDSH-në ka një marrëveshje të konfirmuar për pjesëmarrjen e kësaj partie në Qeverinë e re. Aktivitetet për formimin e Qeverisë së re nuk duhet të zvarriten me qëllim që vendi të ketë shumicë parlamentare stabile e cila do të mundësonte që të ketë edhe Qeveri stabile efikase dhe efektive e cila do të ishte garancë për realizimin e reformave të domosdoshme që i përkasin procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe do të ishin garanci për zhvillimin dhe përparimin e gjithmbarshëm të vendit”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Berisha ka folur për pjesëmarrjen e subjekteve politike shqiptare në skenën politikë në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1992, kur kjo e fundit u shkëput nga ish Jugosllavia.

“Vlen të theksohet se që nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë nga ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë në përbërjen e Qeverive kemi pasur dhe kemi pjesëmarrje edhe të një apo më vonë edhe të dy Partive politike shqiptare. Kjo ka qenë shumë e shëndetshme për demokracinë dhe për imazhin e shtetit në marrëdhëniet politike ndërkombëtare por se subjektet politike shqiptare nuk kanë arritur të faktorizohen politikisht flas në aspektin e inicimit të vendimeve dhe të zbatimit të atyre vendimeve shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme për qytetarët shqiptar. Fillimisht për shkak të refuzimit të subjekteve politike maqedonase që shqiptarët të barazohen me pjesëtarët e bashkësisë etnike maqedonase në aspekt të të drejtave dhe lirive qytetare. Ndërsa më vonë për shkak të mosangazhimit të mjaftueshëm të subjekteve politike shqiptare për ti arritur dhe realizuar të drejtat dhe liritë kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve këtu në RMV. Pra subjektet politike shqiptare apo individ dhe grupacione të caktuara të udhëheqësve të Partive politike shqiptare duke tentuar ti realizojnë interesat e tyre individuale dhe grupore i kanë lënë anash pa i artikuluar dhe pa i realizuar të drejtat, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve shqiptar këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka shpjeguar Berisha për “Bota sot”.

Kurse, ai potencon se nëse formohet Qeveria e re qasje e subjekteve politike maqedonase dhe shqiptare ndaj shqiptarëve duhet të ndryshoj.

“Dhe tani nëse formohet Qeveria e re e vendit duhet të ndryshoj kjo qasje e subjekteve politike maqedonase dhe shqiptare ndaj shqiptarëve dhe këto më shumë duhet të angazhohen dhe të punojnë për interesat e qytetarëve shqiptar e jo vetëm për interesat individuale dhe grupore të tyre. Sfidë e Qeverisë së re mbetet zhvillimi i një beteje më efektive dhe më efikase kundër rreziqeve për shëndetin e njerëzve nga Virusi Korona. Qeveria e re gjithashtu duhet të punoj në zhvillimin e barabartë ekonomik të rajoneve pa favorizuar rajone të caktuara apo duhet të punohet në zhvillimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm si të rajoneve ku jetojnë maqedonasit por edhe të atyre ku jetojnë shqiptarët pa i përjashtuar edhe qytetarët e bashkësive të tjera etnike që jetojnë në vend. Gjithashtu duhet të përshpejtohen aktivitetet dhe detyrimet për anëtarësimin sa më të shpejtë të shtetit në Bashkimin Europian. Pasi që nëse ndodh kjo vendi do të filloj të zhvillohet dhe përparoj në të gjitha sferat e veprimtarive shtetërore dhe shoqërore të saj”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Në fund, Berisha shprehtë pro një kryeministrit shqiptarë në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria e re duhet të krijohet sa më shpejtë dhe procesi negociues për këtë qëllim nuk duhet të rrezikohet për shkak të ndonjë mosmarrëveshjeje që ka të bëj me realizimin e kërkesave dhe interesave irracionale të subjekteve politike. Dhe për fund do të ishte mirë që të realizohet edhe ideja që vendi të ketë ndarje të përgjegjësive mes shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë kontekst subjektet politike maqedonase nuk duhet ta refuzojnë kërkesën e shqiptarëve për të pasur edhe Kryeministër shqiptar si shef Qeverie sepse deri tani në vendin tonë nuk ka pasur Kryeministër shqiptar”, ka përfunduar Berisha /Bota Sot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *