Lajmi i fundit : Sërish viza gjermane për ata me kontratë pune, por edhe pengesa

Lajmi i fundit : Sërish viza gjermane për ata me kontratë pune, por edhe pengesa

Shumë vetë presin për një vizë pune për të ardhur në Gjermani. Po si qëndron puna aktualisht me dhënien e vizave në ambasada? Dhe a po e ndryshon kriza e Coronës nevojën e Gjermanisë për fuqi punëtore nga jashtë?

Vetëm pak muaj më parë, më 1 mars 2020 hyri në fuqi ligji për fuqinë e kualifikuar punëtore në Gjermani. Ai do duhej t’ua lehtësonte qytetarëve nga vendet e treta jashtë BE, ardhjen me punë në Gjermani. Shumë qytetarë nga Shqipëria e Kosova lidhën shpresat me këtë ligj. Gjithsekush që kishte një zanat të kualifikuar apo kishte një kontratë dhe njihte gjuhën gjermane në nivelin që kërkohej mund ta provonte fatin e të kërkonte punë në Gjermani.

Konsullatat gjermane punojnë me kapacitete të reduktuara

Por ardhja e pandemisë ndryshoi gjithçka. Kufizimet e udhëtimit që vendosën Gjermania e vende të tjera për mbrojtjen nga virusi ishin paralizuese. Në shumë raste ardhja e punëtorëve të kualifikuar nga Ballkani u ndërpre me disa përjashtime ose u ngadalësua së tepërmi. Rastet përjashtimore përfshinin personelin shëndetësor, studiuesit e shëndetësisë, personelin e kujdesit shëndetësor apo personel tjetër me rëndësi të veçantë. Vonesat erdhën edhe nga zyrat e administratës për të huajt në Gjermani që për shkak të Coronës e kanë ende të kufizuar komunikimin me publikun. Kështu pirgu i aplikimeve në pritje me ardhjen e pandemisë është rritur edhe më shumë, bashkë me kohën e pritjes për marrjen e orarit për dokumentet për vizën në konsullatat gjermane në Ballkan, pritje, që edhe më parë ishte legjendare.

Kësaj i shtohet edhe puna e reduktuar e konsullatave në rajon. Ministria e Jashtme e Gjermanisë e pranon në një prononcim për Deutsche Wellen, se përfaqësitë gjermane në Ballkan aktualisht punojnë me kapacitete të reduktuara. Ajo thotë, se gjendja aktuale në vend e përcakton, nëse dhe kur do të jetë i mundur shtrimi i kërkesës për vizë. Por me sa duket gjendja në vend mund të çojë edhe në mbylljen e plotë të autoriteteve konsullore. Kjo ndodhi tani në Shqipëri, ku të hënën u mbyll zyra konsullore për vizat e ambasadës gjermane për shkaqe të situatës aktuale. Personave të prekur u premtohet në faqen online një orar i ri sa më shpejt të jetë e mundur, por se kur, kjo nuk specifikohet. Edhe zyra konsullore në Prishtinë i ka reduktuar shumë kapacitetet dhe pranon vetëm ato kërkesa për vizë që nuk preken nga kufizimet e udhëtimit në Gjermani.

“Parimisht mund të jepen sërish viza”

“Dhënia e vizës orientohet për momentin nga kufizimet e udhëtimit në fuqi”, thekson Ministria e Jashtme gjermane, por një vendim i fundit i qeverisë gjermane po e rihap rrugën edhe për rastet e tjera me kontratë apo ofertë pune. Ministria e Jashtme gjermane konfirmon për Deutsche Wellen, se “në bazë të vendimit të kabinetit gjerman më 1 korrik mundet që fuqia punëtore e kualifikuar me një ofertë konkrete pune në bazë të ligjit për fuqinë e kualifikuar punëtore (FEG) të udhëtojë sërish në Gjermani. Kjo vlen edhe për ata që vijnë nga të gjitha shtetet e treta. Në këtë kontekst për raste të tilla parimisht mund të jepen sërish viza.” Parimisht tingëllon bukur, por praktikisht shumë aplikues me këto zhvillime si në Shqipëri së fundmi as nuk e dinë, se kur do të kenë një datë tjetër aplikimi për vizë dhe u duhet vetëm të kalitin durimin./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *