Gjuriq: Hoti mund vetëm të ëndërrojë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Gjuriq: Hoti mund vetëm të ëndërrojë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se Serbia nuk do ta njoh kurrë Kosovën si shtet.

Sipas tij Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, “qëllimisht po mashtron, para së gjithash, opinionin vendor dhe ndërkombëtar, se në Bruksel të enjten do të diskutohet për marrëveshjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës të shpallur në mënyrë të njëanshme .

“Hoti mund vetëm të ëndërrojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe çdo ditë është më larg saj. Ai dhe Isa Mustafa mund t’ia njohin vetëm njëri-tjetrit”, tha Gjuriq, përcjell albinfo.ch.

Siç raporton Beta, Gjuriq ka thënë se të enjten në Bruksel do të diskutohet për normalizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të pagjeturit.

“Në takimin e Brukselit të enjten, në rend të ditës fillimisht do të jenë detyrimet e Prishtinës të marra përgjatë dialogut të deritashëm në Bruksel, pastaj përpjekja për normalizimin e bashkëpunimit ekonomik, sepse kjo është ajo që shqetëson njerëzit e zakonshëm, si dhe çështja e personave të zhdukur, që është një borxh ndaj familjeve të viktimave”, ka thënë ai

Në anën tjetër Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk është i karakterit teknik por atij politik për njohje reciproke.

Këto komente Hoti i bëri në konferencën e sotme me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, teksa njoftoi se të enjten në Bruksel do të udhëtojë Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut.

“Ky proces ka filluar pas më shumë 20 muajsh. Ditët e para e kemi qartësuar platformën tonë dhe kemi komunikuar me të gjithë. Është etabluar pozicioni i Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi final është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Dialogu është vetëm politik. Të enjten është një takim në Bruksel ku do të jetë Koordinatori për Dialog – të cilin do ta emëroj së shpejti – për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke”, ka deklaruar Hoti.

Dialogu Kosovë – Serbi i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka rifilluar javën e kaluar pas 20 muajsh ndërprerje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *