Libri provokativ për Kosovën në takimin Varhelyi-Vuçiç ngjall reagime

Libri provokativ për Kosovën në takimin Varhelyi-Vuçiç ngjall reagime

    Në Bruksel takimi mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mori krejt tjetër vëmendje për shkak të një detaji para nisjes së takimit duke u kthyer në shqetësim për Kosovën.

    Kreu i shtetit serb para takimit me z. Hoti ka pritur Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në Ambasadën serbe dhe në mjediset ku u zhvillua takimi u pa qartë një libër i vendosur mbi tavolinë i titulluar: “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” ( Trashëgimia e Krishterë e Kosovës dhe Metohisë)

    Ky fakt shquhet qartë në fotografinë që ka publikuar vetë zyrtari i Bashkimit Europian në profilin e tij në “Twitter”.

    “Diskutim i mirë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel sot, për marrëdhëniet BE-Serbi, luftën kundër COVID-19, dhe përgatitjet për Planin Eonomik. Komisioni Europian do ta parashtrojë atë në vjeshtë dhe bashkëpunimin regjional”, shkruan ai.

    Ky detaj ka ngjallur mjaft reagime në rrjetet sociale, reagime që nuk lanë pa e përfshirë as ministren e Jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla. Kjo në një postim në Facebook e quajti si skandal diplomatik, provokim dhe ekspozim të qëllimshëm.

    Pas dështimit të takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ka marrë tani në dorë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Përpara nisjes së takimit të parë fizik mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, tha se inkurajon palët që të demostrojnë një frymë kompromisi.

    “Sot kam pritshmëri për një dialog konstruktiv për elementin e parë të bisedimeve tona, i cili do të kontribuojë në një normalizim domethënës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Inkurajoj të dyja palët që të kenë një qasje për bisedimet e sotshme nën një frymë kompromisi dhe pragmatizmi dhe të kenë të ardhmen e BE për popullin e tyre në mendje,”, theksoi mes tjerash Borrell.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *