Juve “hedh farën”, Pirlos i kërkohet të bëhet… Guardiola dhe Zidane

Juve “hedh farën”, Pirlos i kërkohet të bëhet… Guardiola dhe Zidane

“Maestro” kthehet për të drejtuar orkestrën bardhezi. Jo më në zemrën e mesfushës së ekipit të parë, por nga pankina e U-23. Po, Andrea Pirlo është gati të rikthehet në komandë, por në një rol të ri, atë të trajnerit. Dhe për përvojën e tij të parë si teknik ai zgjodhi Juventusin U-23, ku do të punojë për të rritur talentet, që duhet të jenë kampionët e së ardhmes.

Do të jetë gjithashtu një moment rritjeje për të në këtë rol të ri, sepse do të bëjë debutimin e tij si trajner. Nga ky “stacion” starti ai do të jetë në gjendje të niset drejt horizonteve të mëdha. Vendimi është marrë. Pirlo është menduar për një kohë të gjatë, ai ka dashur të zgjedhë me kujdes ekipin me të cilin të fillojë rrugën e re.

Ai mori disa propozime, siç zbuloi kohët e fundit, por bëri zgjedhjen më të mirë. Tri vite pas lamtumirës së tij nga futbolli i luajtur, Andrea Pirlo rikthehet në fushë. Në vitin 2019 mori pjesë në “masterin” e Coverciano-s për “trajneri profesionist i klasit të parë, UEFA Pro”, ndërsa tani do të ulet në stol. Nga teoria në praktikë.

Ende nuk është koha për njoftime të tilla, sepse Juventusi U-23 është në mes të sezonit. Skuadra e drejtuar nga Fabio Pecchia sapo ka fituar titullin e parë historik, Kupën e Italisë në Serie C, dhe tani do të luajë “play off”-in, duke ëndërruar promovimin në Serie B, shkruan Telesport.al

Në fakt, “goditja” e klubit bardhezi është me “qitje të largët”. Pirlos po i jepet mundësia të ndjekë hapat e Guardiolës dhe Zidane, për t’u katapultuar suksesshëm në stolin e ekipit të parë. “I gjithë ambienti ynë ka mbetur shumë i afërt me Andrea…”, – tha drejtori i zonës teknike, Fabio Paratici, duke na lënë të kuptojmë se ky investim nuk është sot për nesër, as rastësor. Juve dëshiron të imitojë atë që Barcelona ka bërë me Guardiolën dhe Real Madridi me Zidane.

Pra, ka qëllim të rrisë trajnerin e së ardhmes në shtëpi, duke filluar nga skuadra e dytë e klubit. Pep filloi nga Barça B, Zidane nga Real Madridi B. Të dy janë ngjitur në majë tashmë. Kush e di, edhe Pirlo do të jetë në gjendje të rimarrë shembullin e dy kolegëve të shkëlqyeshëm dhe të arrijë në stolin e ekipit të parë të Juventusit në të ardhmen e afërt. Sfida për të ka filluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *