PËR MIKUN E HUTUAR…

PËR MIKUN E HUTUAR…

PËR MIKUN E HUTUAR…

Mik, ti po do të besosh se Gjykata Speciale do t‘i zbardh vrasjet e shqiptarëve nga shqiptarët, apo?

Ngo. Ndoshta edhe unë jam i hutuar si ti, prandaj nuk ngul këmbë në bindjet e mia. Mirëpo unë ngul këmbë që ne ta përdorim trurin dhe logjiken.

Mik, unë nuk jam armik i europianëve, por as mik i Hashim Thaçit, ti e di këtë shumë mirë. Dorën në zemër, për ty nuk e di më, mik i kujt je! Më ka humbur kodi i besimin, por jo shpresa që të dy ne e kemi një synim: të mirën ndaj vendit.

DYSHO

Mik, të këshilloj që të dyshosh në këso prokurorie politike, e cila ditën për diell ndërhyn në procese politike, të cilat janë aq jetike për ne, sa s‘ka ku shkon më. Një gjykate ose prokurorie, e cila ka për qëllim zbardhjen e krimeve, nuk do duhej t‘i interesonte të ndalonte procesin e negociatave dhe as do duhej ta mendonte se në cilen datë dhe në cilën orë do të fluturonte Presidenti ynë për SHBA. Të lutem, dysho në këtë pikë, sepse ka shumë më shumë për të dyshuar se për të besuar.

SHTRO PYETJE

Pastaj mik i dashur, mos harro të shtrosh pyetjet:

– Kush ia ndalojë kesaj gjykate që të ngriste aktakuzë para dy-tri javësh ose pas dy-tri javësh?

– Kush ua ndalojë ndërkombëtarëve, brenda dhe jashtë vendit, që ta hetonin Hashim Thaçin tash e 20 vjet? Kishin dhe kanë pushtet të plotë dhe, në vend të darkave dhe drekave me Hashim Thaçin, a nuk kanë mundur ta arrestonin edhe këtë si Ramush Haradinajn? Pyet njëherë, mik, pse nuk e bënë këtë për 20 vjet rresht!

– Numri i paralajmëruar i të dyshuar, të cilët do të hetohen për krime lufte, del të jetë më i madh se numri i serbëve të hetuar për krime lufte ndaj nesh! Asgjë nuk na kushton të bëjmë pyetje: çka dmth ky barazim? Bëje pyetjen, të lutem!

ÇKA THA DJE PRESINDENTI?

Mik, tha shumë, por i tha teper vonë. Unitetin, të cilin do duhej ta krijonte që moti, kurrë nuk e bëri. Për fatin tonë të zi, ai bëri të kundërten. Ai u muar me etiketime personale, siç bëri me Albinin dhe Vjosen heren e fundit. E dimë këtë. Presidenti kurrë nuk e luftoi korrupsionin. Përkundrazi, nën pushtetet e tij, janë krijuar struktura mafioze brenda pushtetit. E dhimbshme është kjo. E dimë të gjithë. E di edhe unë, që ti miku im po mendon që jam hedhur në mbrojtje të Hashim Thaçit. Jo, unë jam i bindur që po e ndihmoj mbrojtjen e interesave të vendit tonë. Hashim Thaçi as që ka nevojë të mbrohet nga unë. Ndërsa unë, bukur vështirë e pata të dal në mbrojtje të tij. Mirëpo, unë dhe ti, mik i dashur, po dallojmë në një pikë. Presidentin e vendit, sido që të jetë ai, jo që nuk e denoncoj tek armiku, por e mbrojë me krejt çka di dhe mundem. Të gjitha të ligat e Presidentit tonë, i fus në xhep të vogël dhe nuk dua as edhe një t‘i shoh e t‘i përmend kur ato i shkojnë në interes armikut tonë të përbashkët.

MBAJE MEND

Hashim Thaçi, edhe nëse jep dorëheqje dhe shkon në Hagë, në mungesë provash, ai nuk do të dënohet. Tani pse mungojnë provat, ti dhe unë nuk e dimë këtë, por ne e dimë që ky procesi i vonuar për 20 vjet, është proces politik dhe si i tillë teper i dëmshëm për shetin tonë të papërfunduar. Mos harro, po kerkohet të dënohet:

– Udhëheqësi politik i UÇK-së – Nënshkruesi i marrëveshjes në Rambuje – Autori i shpalljes së pavarësisë
– Protagonisti i disa konferecave ndërkombëtare ku Kosova ka shënuar fitore historike – Kryeministri i vendit
– Presidenti i shtetit – Njeriu kyç i përmbylljes së procesit të pavarësisë

Të gjitha këto funksione, nuk janë private, por janë hierarki dhe vlera të shtetit tonë, prandaj akuza kundër Presidentit, më së pakut është kundër tij.

Mik, të përshëndes dhe të dëshiroj që në zemrën tënde të kesh më shumë hapësirë për mirëkuptim për vendin se egoizëm dhe hakmarrje për kundërshtarin!

Shkruan Pal Shtufi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *