Astrit  Patozi Më parë bashkëpunoj me PS-në sesa me PD-në, po përgatitemi për zgjedhje

Astrit Patozi Më parë bashkëpunoj me PS-në sesa me PD-në, po përgatitemi për zgjedhje

Kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi në një intervistë për gazetaren e Fax news, Jonada Zelka, ka folur lidhur me marrëveshjen që është arritur për Reformën Zgjedhore. Sipas tij opozita nuk pranoi që të hapte listat, një kërkesë kjo e mijëra qytetarëve, dhe tregoi dhe njëherë tjetër se ka frikë nga vota lirë.

Patozi tha se për ndryshimin e sistemit mund të gjendej koha, dhe ky argument i përdorur nga ana e PS-së dhe PD-së nuk qendron, pasi në Shqipëri janë kryer edhe ndryshime kushtetuese për 5 minuta.

Patozi refuzoi që të fliste lidhur me ndryshimet që po ndodhin në PD, ndërsa shtoi se nuk pret asnjë ftesë nga Lulzim Basha, as për koalicion me të. Ai la të kuptohej se më parë mendon koalicionin me Edi Ramën, sesa atë me Lulzim Bashën, i cili sipas tij ka bërë çmos për moshapjen e listave.

“Unë mendoj që jo vetëm nuk garantohet vota e lirë, por nuk garantojnë asgjë të mirë për të ardhmen e Shqipërisë, dhe dakordësimi është një turp që duhet ta mbajnë ata që e kanë gatuar. Përmes marrëveshjes që kanë nënshkruar, kanë ruajtur status quon e tyre, pa ndryshimin e sistemit politik dhe hapjen e listave, nuk mund të ketë Reformë.

Unë them që ajo që u arrit deri më sot, uroj që të ketë një çarje të digës, me kërkesën e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit, në rast se kjo nuk ndodh, nuk ka më vend për debat, pasi kemi rënë dakord për të thënë se Shqipëria ishte më mirë kur ishte më keq. Kjo marrëveshje është në dëm më shumë të opozitës, që do të duhet të ishte pararojë për ndryshimin.

Qytetarët duhet të kenë rolin e tyre në demokraci, Shqipërinë e kanë marrë sot peng vetëm tre persona, që e detyrojnë popullin të votojë vetëm për ta, lista e hapur është më minimalja që mund të bëhet. PD dhe Lulzim Basha nuk ka thënë asnjë fjalë për listat e hapura, dhe Edi Rama ka thënë që mua për vete nuk më pëlqen, por që ne nuk e shmangim debatin, kjo është historia.

Shumë gjëra në këtë vend janë vendosur për 5 minuta, siç ishin ndryshimet Kushtetuese të 2008, dhe ka mbetur peng vendi në 12 vite, i një gabimi që është bërë që prej asaj kohe. Unë i përkas Bindjes Demokratike, dhe nuk është etike që unë të flas për një çështje që u takon demokratëve. Ju thoni nëse do bëhet dasmë, dhe na sjellin ftesë a do shkojmë a jo.

Në radhë të parë duhet që të bëhet dasma, unë as nuk dua ftesë dhe as nuk pres ftesë. Nuk kam se çfarë pres nga Lulzim Basha, jam gati të humbasë muaj të tërë me një qytetar, sesa me një njeri që është për ruajtjen e status-quos. Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me çdo formacion, qoftë edhe të shoqërisë civile, që janë për hapjen e listave”, u shpreh Patozi.

Kreu i Bindjes Demokratike refuzoi çdo mundësi bashkëpunimi me PD-në.

‘Ne po përgatitemi për zgjedhje pa u rënë borive, të shkojmë dhe të marrim hakun tonë në çdo qark të Shqipërisë, jemi të përgatitur për të gjitha versionet, pasi ne mendojmë se e vetmja gjë që mund të sjellë ndryshimin janë zgjedhjet’, tha Patozi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *